
Vitamina B7, e njohur si biotina ose vitamina H, është një lëndë ushqyese e tretshme në ujë, pjesë e familjes së kompleks vitaminës B. Vitaminat e kompleksit B ndihmojnë në funksionin normal të veshkave, qetësimin dhe ruajtjen e një sistemi nervor të shëndetshëm dhe janë të domosdoshme për proceset kyçe metabolike.
Për çfarë përdoret biotina?
Biotina njihet për tiparet ushqyese për flokët, lëkurën dhe thonjët. I bën flokët më pak të brishta, thonjët më të fortë dhe lëkurën më të shëndetshme. Por si e bën këtë? Hulumtuesit besojnë se e bën këtë duke përmirësuar strukturën e keratinës në organizëm. Keratina formon strukturën e qelizave epiteliale që përbëjnë sipërfaqen e organizmit. Gjithashtu kjo është edhe proteina bazë që përbën flokët, lëkurën dhe thonjët dhe është pergjegjëse për t’ju dhënë atyre qëndrueshmëri dhe aftësi ripërtëritëse.
Kështu që nëse flokët tuaja janë të brishta ose flokët tuaja dëmtohen lehtë atëherë duhet ta furnizoni organizmin tuaj me atë që ka nevojë për ta përmirësuar strukturën e keratinës. Kur strukturat e keratinës në organizëm marrin mbështetjen e duhur patjetër që edhe tiparet e jashtme që varen nga keratina do të përfitojnë.
Përderisa biotina kryesisht merret për të mbeshtetur shëndetin e flokëve, lëkurës dhe thonjëve, gjithashtu ndihmon shëndetin, të jeni energjetik dhe ndihmon funksionin kognitiv koncentrim kujtesë, sikurse ndihmon edhe funksionimin e nervave dhe muskujve.
Biotina për flokët
Rezultatet e hulumtimeve tregojnë se biotina mund të ndihmojë jashtëzakonisht shumë fortësinë dhe rritjen e flokëve. Në disa studime, pjesëmarrësve që janë ankuar për flokë të dobëta, të cilëve u janë dhënë suplemente të biotinës pas 90 deri 180 ditëve u është përmirësuar dukshëm trashësia dhe rritja e flokëve.
Biotina për lëkurën
Rroli biotinës në shëndetin e lëkurës nuk është kuptuar plotësisht akoma por hulumtuesit komfirmojnë se nëse keni nivele të ulëta të biotinës mund të ndikojë në shëndetin e lëkurës tuaj. Ata gjithashtu mendojnë se përveç rolit në prodhimin e keratinës, biotina mund të ndihmojë në promovimin e shëndetit të lëkurës për shkak të rolit të saj në metabolizmin e yndyrnave. Qelizat e lëkurës kanë nevojë për qasje në acidet yndyrore për ti mbajtur ato fleksibile dhe për të prodhuar barrierën natyrale vajore që ndihmon në mbajtjen e lëkurës të hidratuar dhe të shëndetshme.
Biotina për thonjët
Disa studime shkencore kanë treguar rezultate pozitive se konsumimi i biotinës ndikon në fortësinë e thonjëve. Një studim tregon se biotina mund të rrisë trashësinë e thonjëve për 25% te individët që kanë thonjë të dobët. Në atë studim tek 63% e pjesëmarrësve që kanë marrë biotinë janë shfaqur përmirësime të fortësisë së thonjëve pas 6 muajsh. Studimet tjera kanë treguar rezultate të ngjashme nga marrja e biotinës edhe te pjesëmarrësit me nivele të shëndetshme të biotinës në fillim të studimit.
Biotina për energji
Biotina luan rol të rëndësishëm në prodhimin e energjisë dhe në metabolizmin e makronutricientëve. Disa enzime metabolike kanë nevojë për biotinë për funksionim normal dhe për konvertimin e ushqimit që e hamë në energji të cilën organizmi mund ta përdorë dhe për të inicuar procesimin e makronutricientëve. Biotina luan rol në prodhimin e glukozës nga burimet jo-karbohidrate, sinteza e acideve yndyrore dhe ndarja e amino acideve, të gjitha këto të ndërlidhura me prodhimin e energjisë.
Cilat janë ushqimet më të pasura me këtë vitaminë?
Ushqimet më të pasura me këtë vitaminë janë: Vezët (e verdha e vezës), bajamet (e pakripura), arrat, soja, kikiriku, lulelakra e papërpunuar, produktet e qumështit (djathi përmban sasi të lartë biotine), kërpudhat, patatja e ëmbël, spinaqi, mëlçia (pule, viqi), salmoni, toni, brokoli.
Përdorimi:
Marrja e biotinës mund të ndihmojë në trajtimin e niveleve të ulëta të biotinës në gjak. Mund të merret me anë të ushqimeve të pasura me këtë vitaminë, ose në formë të tabletave, kapsulave apo formave tjera farmaceutike që gjinden lehtësisht në barnatore.
Përpunimi i ushqimit mund të asgjësojë biotinën, kështu që merrni ushqime më pak të përpunuara.
Dozimi:
Dozat e rekomanduara ditore te personat mbi 10 vjeç, janë mes 30 dhe 100 mcg në ditë!
Të rriturit dhe gratë shtatzëna kanë nevojë për 30 mikrogramë biotinë në ditë.
Nënat gjidhënëse 35 mcg në ditë.
- Nga lindja deri në 3 vjeç: 10 deri në 20 mikrogram (mcg) në ditë;
- Nga 4 deri në 6 vjeç: 25 mcg;
- Nga 7 deri në 10 vjeç: 30 mcg;
- Gratë shtatzëna dhe gjidhënëse mund të kenë nevojë për nivele më të larta të biotinës gjatë ditës.
Sa kohë duhet të kalojë derisa të shihen rezultatet?
Ndër pyetjet më të shpeshta është se pas sa kohe pas marrjes së kësaj vitamine, mund të vërehen ndryshime në organizëm.
Tek shumica e njerëzve, përfitimet e para mund të vërehen pas kalimit të disa muajve. Për rezultate më të mira, marrja duhet të jetë e vazhdueshme. Nëse jeni duke rritur konsumimin e kësaj vitamine përmes ushqimit, atëherë që të vërehen ndryshime në organizëm, do të duhet të hani disa ushqime të pasura me biotinë në baza ditore. Nëse merrni si suplement, është e rëndësishme që ta merrni atë çdo ditë, në kohën e caktuar. Rezultatet më të mira do të vërehen pas 90 ditësh të marrjes së saj. Mendohet se sa më gjatë të konsumoni një dozë më të lartë biotine, aq më të mira do të jenë rezultatet! Në këtë rast, flokët do të jenë më të trasha, më me shkëlqim dhe më të shëndetshme.